LONDËR – Këtë të dielë vëllezërit Roberto dhe Amarildo Bakaj kanë marrë fitoret e radhës në boksin profesionist. Roberto siguron fitoren e 13-të dhe të gjitha janë me ‘K.O’. Nga ana tjetër, Amarildo siguroi fitoren e 12-të, 11 nga të cilat me Knock Out.
Amarildo Bakaj ia ka dalë të sigurojë fitoren e 12-të në boksin profesionist. Lezhjani mposhti në “Harrow Leisure Centre” të Londrës rivalin nga Gana, Mawuli Folivi.
Gjithçka zgjati katër raunde dhe u desh një grusht kampioni që Bakaj të rikthente gjithçka në favor të tij, për të fituar edhe këtë duel. Duhej raundi i katërt (1 minutë e 39 sekonda) që Amarildo të godiste fort dhe të bënte që ekipi i ganezit të hidhte flamurin e bardhë të dorëzimit në ring.
Paçka se e nisi ndeshjen jo mirë dhe rivali po kryesonte me pikë, Amarildo Bakaj përmbysi gjithçka me një grusht, duke shprehur lumturinë pas përballjes.
“Kundërshtari ishte i fortë, e dija. Prita deri në momentin e fundit për ta befasuar, ia dola. Jam 25 vjeç dhe kam ëndrra të mëdha në këtë sport, ia lë Zotit dhe ai e di se çfarë dua. Kam dëshirë të bëj krenar shqiptarët.
Në raundet e para rivali ishte para me pikë, prita dhe doja një grusht, si sniper që ta hidhja në tokë. Dua të falenderoj shqiptarët, i jam borxhli që kanë ardhur kanë mbushur arenën në Londër”, tha Amarildo Bakaj.
Roberto Bakaj
Pas të vëllait, 30-vjeçari Roberto doli në ring kundër rivalit Shaban Hamadi Jongo nga Tanzania. Vetëm dy raunde zgjati ndeshja, me vëllanë e madh Bakaj, që e hodhi në tapet rivalin pas 1 minutë e 37 sekondave të raundit të dytë. 13 fitore me K.O për të, që mban edhe titullin IBO Continental. Për t’u përmendur se arena në Londër ku u zhvilluan duelet ishte e mbushur me shqiptarë, ku mbizotëroi ngjyra kuqezi.
Pak javë më parë vëllezërit Amarildo dhe Robert Bakaj fituan në Lezhë tituj ndërkombëtare në boks.
Be First to Comment