40-vjeçari që u plagos mëngjesin e sotëm në qendër të Mitrovicës, ka humbur jetën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Viktima nuk ka arritur t’iu mbijetojë plagëve të marra nga arma e zjarrit.
Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu.
“Zyra për informim e QKUK-së, ju konfirmon se përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi i Klinikës Emergjente, një person i plagosur në Mitrovicë, nuk ka arritur të mbijetojë, për shkak të plagëve që ka pasur dhe gjendjes së rënduar shëndetësore”, ka potencuar ai.
Sinjali ka mësuar se viktima është Florim Zeqiri, në drejtim të të cillit sot janë shkrepur gjashtë plumba dhe e gjithë kjo ka ndodhur pas shpinës së tij.
Lajmin për plagosjen e 40-vjeçarit e kishte konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Sot, rreth orës 09:42, në Mitrovicë, është raportuar për një person të lënduar nga arma e zjarrit. Rasti ka ndodhur në rrugën ‘Fatime Hetemi’ në Mitrovicë. I plagosuri viktima i moshës madhore është dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Be First to Comment