Skip to content

Në shumë vende të botës të flasësh për paratë ose thjesht t’i përmendësh sjell fat të keq. Po aq i keq është fakti që paraja është një ndër burimet kryesore të stresit të vazhdueshëm për miliona njerëz në botë. Pavarësisht kësaj, legjendat urbane në lidhje me paratë janë të larmishme e në shumë raste thuajse qesharake.

Psikologët thonë se legjenda urbane si kjo që do të lexoni më poshtë janë kthyer në një mekanizëm inkurajues dhe shpresëplotë për njeriun që shpesh pret që paratë të bien nga qielli. Në fakt në vendin tonë ka shumë njerëz që kur del hëna e re i luten asaj tua mbushë kuletën plot, por për këtë do të flasim një herë tjetër.

Një prej legjendave urbane më të përhapura në lidhje me paran është ajo e kruarjes së duarve. Sipas saj, kruarja e dorës së majtë tregon se do të humbasësh para. Ka njerëz që bëjnë be e rrufe se sa herë që u është kruajtur dora e djathtë kanë marrë para, ndonëse kjo gjë e tillë mund të ketë përkuar me ditën e marrjes së pagës.

Ekspertët thonë se mund të ketë diçka të vërtetë në këto pretendime interesante. Duart konsiderohen si portat hyrëse dhe dalëse të energjisë së trupit. Kruarja e tyre tregon lëvizjen e energjisë së brendshme dhe ardhjen e energjive të reja. Teoritë e ndryshme sugjerojnë se kruarja e dorës së majtë nënkupton ardhjen e një energjie të re që do t’ju kushtojë para.

Nga ana tjetër, kruarja e dorës së djathtë tregon për energjinë dhe shërbimet që do të kryeni për të cilat do të paguheni, pra do të merrni para.Për të përthithur energjinë që vjen në drejtim të dorës së majtë, rekomandohet që me të prekni dru. Druri besohet të ketë aftësinë të transferojë energjinë e keqe të akumuluar në trup dhe të parandalojë edhe humbjen e parave.

Praktikisht, kruarja e duarve nuk tregon se paraja do të vijë falas. Njeriu do të punojë për të, e megjithatë thjesht idea që do të marrë para i jep njeriut një shpresë dhe lumturi thuajse fëminore. Në shumë vende të botës, besohet se fati i njeriut kalon nga duart por të gjitha qytetërimet zgjedhin vetë anën e ardhjes dhe humbjes së parajat.

Kjo është arsyeja pse në vende si India, paraja besohet të vijë nga dora e majtë dhe të ikë nga e djathta. Shkencëtarët nga ana tjetër thonë se kruarja e duarve mund të ketë dy shpjegime: përtharja e lëkurës ose alergjitë. Alergji ose jo, shpresa vdes e fundit ndaj nëse ju kruhet dora, hapeni kuleten. Ndoshta nuk do të bëheni të pasur brenda ditës, por do keni një ditë të gëzuar.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *