Bimët mjekësore dhe vajrat që lehtësojnë stresin dhe ankthin e përditshëm
Stresi dhe ankthi janë dy ndjesi të zakonshme në ditët e sotme për shkak të shumë arsyeve, përfshirë ngjarjet globale, ngjarjet personale, dhe shpejtësia e jetës moderne.
Të gjithë përjetojnë stres në momente të ndryshme të jetës së tyre. Por kur është stresi një problem që kërkon vëmendjen tonë? Çfarë simptomash duhet të kenë kujdes njerëzit dhe cilat janë ndikimet shëndetësore të stresit afatgjatë si dhe ankthit? A ka disa mënyra për t’a menaxhuar atë?
Si mund të ulim nivelet e kortizolit, hormonit të stresit? Në studion e “Rreze Dielli” me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja ndajmë disa këshilla shumë efikase për shëndetin e trurit si dhe cilët janë bimët mjekësore më të mira që luftojnë stresin dhe ankthin.
Shkaktarët e stresit dhe ankthit sipas Ylli Merja janë: ngacmues të shumtë të jashtëm: zhurma, stresi në qarkullim, lodhja në punë; sjellja në shoqëri; çrregullimet në çervikale; çrregullime në tretje dhe jashtëqitje.
“Këta ngacmues që shqetësojnë sistemin nervor qendror apo periferik bëhen më pas dominuese dhe arrijnë që sistemi nervor dhe endokrin të mos punojnë qetësisht e normalisht, por të punojë i shqetësuar, i mërzitur, i stresuar.
Që të gjitha këto ngarkesa sjellin një lodhje dhe manifestohen në ankth, largim nga vetvetja e njëkohësisht edhe organizmi fillon të mbartë këto ngarkesa emocionale.
Ekziston një vijë e hollë ndarëse midis ankthit dhe stresit. Ankthi është si “flakë” në këmbë që po të keni kurajë e ktheni në forcë për të përballuar rrezikun. “Busulla morale” në trurin tonë dhe qendra e amigdalës në zonën cerebrale rigjeneron veprimtarinë nëse kuptojmë shkakun kryesor që çoi në nxitjen e ankthit” thekson Merja.
Po cilat janë disa nga simptomat e stresit dhe të ankthit? Simptomat e stresit përfshijnë: rrahje të shpejta të zemrës, frymëmarrje e shpejtë mbi 28-30 frymëmarrje në minutë, dhimbje muskujsh, çrregullime në tretje dhe jashtëqitje, marramendje, lodhje muskujsh dhe trupi, pa lumturi.
Këto çrregullime janë afatshkurtër, thotë Merja, ndërsa ankthi është përgjigjia e brendshme karshi stresit dhe funksioneve fiziologjike të tyre. Disa nga simptomat e ankthit janë: shqetësim i tepërt për diçka të zakonshme, përsëritja e disa veprimeve me gishta e duar, dridhje duarsh, pafuqi, djersitje, shtrëngim kraharori, vështirësi në frymëmarrje, paaftësi për të përfunduar një detyrë, pasiguri në vetvete, dyshim në vetvete, reagime ndaj zhurmave, rritje e tensionit, çrregullim paniku, fobi, frikë nga ambjentet sociale./Shqiptarja.com
Be First to Comment