Kryeministri Edi Rama tha se pensionistët duhet të gëzohen për rritjen e pagave, pasi rriten dhe kontributet shoqërore, të cilat mund të çojnë në rritjen e pensioneve.
Rama iu përgjigj gjithashtu kundërshtarëve politikë, të cilët thonë se pse rriten pagat e deputetëve dhe nuk rriten pensionet. Rama nënvizoi se edhe nëse do të pezullohej parlamenti dhe pagat do të shkonin për pensionistët, rritja do të ishte vetëm 30 lekë për mbi 700 mijë pensionistë.
“Thonë disa që hiqjani deputetëve fare, pse rriten pagat e deputetëve dhe nuk rriten pensionet. Pavarësisht se për disa deputetë të caktuar figura e deputetit është bërë zhele, shumica e deputetëve nuk e meritojnë fare këtë lloj perceptimi. Në fund të ditës, pagat për Kuvendin e Shqipërisë janë paga për Kuvendin e Shqipërisë, pavarësisht se çfarë mund të themi për disa deputetë e për disa të tjerë. Por edhe sikur ta pezullonim fare parlamentin dhe të merrnim të gjitha pagat e deputetëve, e dini ju çfarë ndikimi do kishte te pensionet? Kjo do kishte një ndikim prej 30 lekësh. Sikur ta pezullonim krejt qeverinë bashkë me deputetët, efekti do të ishte 30 lekë. Ky është një muhabet kot, se nuk mund të pezullosh një gjë dhe të bësh një gjë tjetër,” tha Rama.
Be First to Comment