Puntata e parë e “Ka Një Mesazh Për Ty” në këtë sezon të ri të programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan çelet me Indritin. Ai vjen nga Italia ku jeton prej 22 vitesh dhe ka një familje të bukur me dy vajza e bashkëshorten.
Për 44 vite, Indriti ka besuar në një tjetër realitet. Ai ka jetuar 21 vite në Bolenë të Vlorës ku dhe mendonte se ishte lindur, ndonëse e vërteta ishte ndryshe. Në këto vite, Indriti u rrit nga dy prindër që i plotësonin gjithçka brenda atyre mundësive modeste që kishin, e trajtonin me dashuri të shumëfishtë sa ai e quante veten “princi i vogël”.
Kjo zgjati derisa një ditë, tabloja e këtij realiteti në dukje perfekt, u thye nga një fjali e vetme.
Indrit: Një ditë, një bashkëfshatar atje dhe t’ia hedhim pak fajin sepse kishte pasur probleme penale dhe shëndetësore, i shket goja dhe thotë që “ti nuk je fëmija i vërtetë i babait tënd dhe mamasë që quhen Nuri dhe Sanie, por je fëmijë i ardhur”. Fjalia e parë që dëgjoja pas këtyre viteve, edhe pse isha i vogël, e kuptova dhe më qëndroi rëndë.
Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishe?
Indrit: Duhet të kem qenë rreth 7-8 vjeç. Shkoj në shtëpi, jo me nxitim apo se çfarë ndodhi kushedi, por shkoj në shtëpi dhe direkt pyes mamanë, i them që kështu-kështu filani, më përmendi këtë fjali, a është e vërtetë? Ajo direkt u mërzit pak, u prek dhe tha menjëherë që “ti e njeh personin, e njohim edhe historinë e tij, çfarë thotë sot s’e thotë nesër, edhe problemet që ka pasur kështu që nuk mund t’ia vëmë veshin prandaj ta anashkalojmë dhe rri i qetë se kjo është gjë që nuk ekziston”. Aty u ndieva prapë…
Ardit Gjebrea: U çlirove.
Indrit: U çlirova dhe vazhdova jetën time. Pastaj episode të ndryshme ndodhën edhe me shokët pao shoqet e shkollës duke përsëritur një si tip kënge mund ta themi që ndoshta o ndonjë prind i papërgjegjshëm ose ndonjë prind pak egoist sepse atëherë ishte ajo, egoizmi jo në mënyrën e keqe, përbuzja duke mos menduar lëndimin e një fëmije…
Ardit Gjebrea: Ajo që sot quhet bullizëm.
Indrit: Po pra.
Ardit Gjebrea: Si të bullizonin?
Indrit: Duke shprehur si tip kënge, e bënin “o Indriti i vogël, të ka blerë babi në Shkodër, sa lekë, 5 lekë”, diçka e tillë që nuk kishte lidhje fare por të vriste kjo gjë, të vriste jashtë mase.
Indriti shton se më vonë nuk i pyeti më prindërit e tij rreth kësaj teme pasi e shihte që kjo i vriste e njëkohësisht mendonte që kishte një jetë të mrekullueshme me ta.
Be First to Comment