Një histori e vështirë është ajo e Sajmirit dhe Matildës, dy prindër të cilët janë në luftë për t’i shpëtuar jetën djalit të tyre 1-vjeçar, i cili ka një çarje në mushkëri.
Mes lotësh ata treguan pak nga dhimbja e tyre në studion e “Për Shqiptarët”, duke shpresuar që djali i tyre të rritet plot shëndet.
Sajmiri ka lindur në një fshat të vogël të Beratit, në Molisht, ndërsa Matilda ka lindur dhe është rritur në Lushnjë.
Ata u njohën bashkë në Korrik të vitit 2015, në një pasdite të bukur e të nxehtë vere, në autobus, rrugës për në shtëpi.
Ishte dashuri me shikim të parë pasi të dyve iu shkëlqenin sytë kur flisnin me njëri-tjetrin. Një vit më pas vendosën që t’a kurorëzonin dashurinë e tyre me fejesë. Pas fejesës, morën një shtëpi të vogël me qera ne Tiranë, ku do të ndërtonin folenë e tyre të dashurisë.
Filluan bashkëjetesën pa bërë dasmë sepse mundesitë nuk i kishin. Sajmiri kishte një biznes të vogël privat sa për të siguruar të ardhura të mjaftueshme në familje.
Matilda, një mësuese e gjuhës angleze, pavarësisht se jetonte në Tiranë, vazhdoi të punonte në një shkollë shtetërore në Lushnje, duke u zgjuar shumë herët, që në 4 të mëngjesit dhe Sajmiri zgjohej bashkë me të, e shoqëronte çdo ditë deri tek terminali i autobusave dhe vinte përsëri për ta marrë, kur ajo kthehej nga puna që bënte vajtje-ardhje çdo ditë.
Vitet e para të marteses kanë qenë shumë të bukura, plot me dashuri dhe emocione të reja. Vajza e parë, Ajsi, erdhi në jetë në krye të 9 muajve martesë. Duke qenë se ishte shtatëzania e parë dhe fryti i tyre i parë i dashurisë, ishte lumturia më e madhe që ndjen të dy.
Kur morën vesh se do të bëheshin me një vajzë, emocioni u bë më i ëmbël. Vajza e dytë, e vogla e shtëpisë erdhi në jetë 21 muaj pas vajzës së parë, në Korrik të vitit 2019. Dhe katër vjet më vonë në 10 Nëntor 2023, do të vinte në jetë djali i vetëm i familjes, Valdrini i vogël.
Lajmi se do të bëheshin me djalë, ishte një emocion i ri për prindërit, motrat u gëzuan për vëllanë dhe Sajmiri për djalin që do ta kishte shok e përherë pas vetes.
Shatëzania për Matildën shkonte për bukuri, nuk kishte asnjë problem shëndetësor. Bënte rregullisht kontrollet dhe numëronin javët se kur do të vinte në jetë djali i tyre. Donte dhe 1 javë të kalonte muajin e shtatë të shtatëzanisë. Një ditë të zakontë, kur vajzat ishin në kopësht, duke qëndruar në shtëpi me të shoqin Matilda nisi të ndjente një dhimbje shpine, mendoi se ishte lodhja, se do t’i kalonte, por përkundrazi dhimbjet po bëheshin gjithnjë e më të forta.
Ajo kuptoi që gjendja ishte serioze dhe i thotë Sajmirit të ngrihen, të zgjojnë dhe fëmijët që në 4 të mëngjesit dhe ashtu nëpër të ftohtë nisen drejt maternitetit. Pasi mamia e viziton, me një fytyrë të ngrysur i thotë Sajmirit që aborti ka filluar.
Në atë çast shtangën. Sajmiri u be i verdhë në fytyrë dhe djersë të ftohta i binin në ballë. Matilda filloi të qante por në moment iu desh të pushonte së qari pasi vajzat ishin aty dhe filluan të qanin edhe ato…. o mami çfarë ke o mami pse qan??!!
Nuk kam asgjë i tha Matilda vajzave, fshiu lotët që i rridhnin në faqe dhe i mori i përqafoi fort ndërkohë që trupi i dridhej.
Ne ate moment vjen një infermiere që i largon vajzat. Saimiri nuk i harron kurrë fjalët që ajo i tha: Nëse më ndodh diçka mua, amanet vajzat. Dhe aty u ndanë pa ditur se çdo të ndodhte me ta.
Matilda i lutej doktorit nëse kishte ndonjë shans të mbijetonte, por doktori i thotë nuk di ç’të të them pasi bebi është vetëm 25 javësh, të paktën të ishte 27 javësh, gjërat mund të ishin me ndryshe.
Kaloi nata me shumë dhimbje e siklete të ndryshme derisa të nesërmen doktoresha e turnit i tha Matildes dhe Sajmirit që bebi nuk e shtynte dot me të rrinte me gjatë në barkun e nenes, kështu që ajo, doktoresha, mendonte ti jepte një shans, të paktën bebi të dilte me jetë me frymë.
Matilda futet në sallën e lindjes, e lind djalin, një foshnje e vogël që nuk ishte dot as 1 kilogarmë. Bebi qau, por me një të qarë të mbytur, që prej zhurmave të sallës e nje stafi prej 20 personash të maternitetit, e me një gjendje shpirtërore dhe emocionale të rënduar, ajo nuk mundi t’ja dëgjonte as të qarën e parë….madje nuk arriti dot as t’a mbante as 1 sekond në kraharor.
Matildes ende dhe sot e kësaj dite nuk i kujtohet hera e parë që është futur në reaminacion, për të parë bebin e saj aq të vogël e të brishtë të intubuar në inkubator. Nuk i kujtohet asgjë, as kush i tha qe mund te shkonte as kush e dërgoi, si ka reaguar kur e ka parë bebin në atë gjendje, çfarë ndodhi më pas, asgjë!!! Ai moment ka qenë një gjendje shoku total për atë si nënë!!!
Aty filloi dhe kalvari i gjatë i vuajtjeve dhe peripecive, sfidave të panumërta, dhimbjeve në shpirt, sprovave të shumta njëra pas tjetrës si për djalin ashtu edhe për nënën e tij, Matilden, babain dhe 2 motrat të cilat u detyruan të rrinin 4 muaj ditë natë pa mamin. Matilda u shtrua ne spital dhe duhej me patjetër të kujdesej për bebin që ishte në gjendje shume kritike për jeten.
Kjo situatë ishte një shok për të gjithë familjen, vajzat qanin gjatë gjithë kohës për mamin për vëllain, nuk donin të shkonin në kopësht, qanin, nuk luanin me shoqet e shokët e klasës, gjithë kohës rrinin të trishtuara.
Matilda nuk mund te shkonte dot në shtëpi pasi gjendja e djalit ishte shumë delikate saqë asaj i duhej ti rrinte tek koka sepse mushkëritë e tij të papjekura bënin që ai të nxihej i gjithi dhe në çdo çast rrezikonte të humbiste jeten.
Doktorët i thonin që djali pothuajse nuk ka fare shanse për të mbijetuar, por që edhe nëse do të mbijetonte nuk do të ishte si fëmijët e tjerë të lindur në kohë pasi bebet premature sidomos bebet ekstremisht premature mund të kenë probleme të shumta shëndetësore duke filluar që nga problemet me papjekurinë e mushkërisë, probleme neurologjike si pasojë e papjekurisë së trurit, probleme me shikimin, që bebi mund të mos ecte dot kurë, mund të mos fliste, mund të mos dëgjonte e shumë e shumë probleme të tjera të panumërta dhe nga me të paimagjinueshmet.
Megjithatë Sajmiri dhe Matilda nuk e braktisën djalin sido që të ishte fati i tij. Fati i tij ishte dhe fati i prindërve të tij dhe i 2 motrave të tij të vogla.
Sajmiri thoshte që fëmija është bekim, përgjegjësi dhe amanet. Matilda thoshte që sido që të jetë fati i djalit tim unë si nënë kurrë nuk do e braktisja, nuk do te mundesha dot kurrë, përkundrazi do kujdesesha deri në frymën e fundit për ate fëmijë dhe për 2 vajzat.
Te dy burrë e grua i qanin hallet bashkë dhe kur njëri demoralizohej ishte tjetri ai që i qëndronte tjetrit në krahë. I luteshin shumë Zotit që t’ja u shëronte djalin dhe ata mundoheshin të bënin maksimumin e tyre si prindër me ato mundësi që ata kishin.
4 muaj ankth, frikë, lot, shqetësime, sfida nga me të ndryshmet ishin tashmë pjesë e jetës në spital për Matilden e Sajmirin çdo ditë.
Dita më e lumtur për prindërit ishte kur Valdrini la spitalin dhe shkoi në shtëpi. Ishte i vogël, kishte nevojë për shumë kujdes, por kjo nuk do t’i mungonte në asnjë moment. E trajtonin me kujdesin më të madh, mundoheshin ta ruanin nga çdo virozë e mundshme, sepse Valdrini nuk do mund ta përballonte si gjithë fëmijët e tjerë. Ai filloi të reagonte, të kishte instikte, të buzëqeshte, të njihte prindërit motrat.
Por ata rrinin me zemrën e ngrirë, me frikën se mos diçka do t’i ndodhte.
Një muaj më parë Valdrini tashmë 1 vjeçar, nisi të kishte një kollë. Prindërit e shqetësuar e dërgojnë në spital. Ai vend për ta nuk kishte kujtime të bukura. Kishin pritur 4 muaj për ta marrë në shtëpi, e tani u kthyen sërish aty. I vogli i tyre nisi të përkeqësohej. Kola po e bëhej me e fortë, aq e fortë sa krijoi një çarje në mushkri, duke bërë që ajri që thithte të shkonte në organet e tjera.
Gjendje që i rrezikon sërish jetën. Prindërit luftuan shumë për ta patur mes tyre, nuk mund ta pranojnë dot të kundërtën. Djali ka nevojë urgjente për operacion, operacion tejet delikat i cili nuk mund të realizohet në Shqipëri. Prindërit janë të dëshpëruar. E kushdo që është prind mund ta kuptojë gjendjen e tyre. Kanë ardhur këtu për ndihmë, për të kërkuar solidarizimin e të gjithë shqiptarëve, që fëmija i tyre të ketë një mundësi jete.
Valdrini thonë ata është një fëmijë që e do shumë jetën, ndaj ju lutemi ndihmojeni të jetojë.
Be First to Comment